Thursday, January 31, 2013

Në arkën shtetërore të Zimbabvesë ka 217 dollarë


Njëri prej vendeve më të varfra dhe më të keq qeverisura në botë, Zimbabveja, në javën e kaluar kishte vetëm 217 dollarë në arkën e shtetit. Ministria e Financave ka njoftuar se pasi u pagua administrata, arka e shtetit në janar mbeti thuajse e boshatisur.
Megjithatë, ministria në fjalë ka sqaruar se në situatën aktuale, shteti nuk mund të quhet i falimentuar, por se është e qartë që nuk mund të përballojë shpenzimet për zgjedhjet e përgjithshme që duhet të mbahen gjatë këtij viti.
Disa vite më parë, Zimbabveja u përball me një hiperinflacion. Vendi i pasur me rezerva të shumta diamanti adresoi këtë problem duke i hequr shumë zero dollarit vendas, por problemet ekonomike, shkaktuar nga keqmanaxhimi, shpërdorimi dhe korrupsioni, mbeten kronike.
Presidenti i vendit jeton një jetë luksi dhe ka një pasuri që llogaritet në miliarda dollarë, ndërsa paga mesatare është një dollar amerikan në ditë dhe shumica dërrmuese e popullsisë janë të prekur direkt nga mungesa e ushqimit, ujit të pijshëm, shërbimit shëndetësor dhe arsimit.
Në këtë vend afrikan me 12.7 milionë banorë jetëgjatësia mesatare është 43 vjet për meshkujt dhe 44 për femrat. /Telegrafi/